• Ballina Journal PANKREATITI – ÇFARË ËSHTË, SIMPTOMAT DHE TRAJTIMI
Back

PANKREATITI – ÇFARË ËSHTË, SIMPTOMAT DHE TRAJTIMI

Postuar Sipas Spitali Amerikan - American Hospital Kosova Postuar në Info ,Marketing / 0 Komente

Pankreasi është një organ që lokalizohet në pjesën e majtë të kavitetit abdominal (hipokonder sinistër), nën stomak. Është një gjendër e traktit tretës e cila ka një funksion të dyfishtë, ekzokrin (duke prodhuar lëngun pankreatik që merr pjesë në tretje) dhe endokrin (duke sekretuar dy hormone antagoniste, insulinën, që është një hormone hipoglicemiant, dhe glukagonin që është një hormon hiperglicemiant).

Sëmundjet më të shpeshta nga të cilat preket kjo gjendër?

Sëmundjet më të shpeshta nga të cilat preket kjo gjëndër janë diabeti i sheqerit, pankreatiti akut, pankreatiti kronik, deficienca e

enzimave pankreatike dhe kanceri i pankreasit.

Çfarë është pankreatiti akut?

Pankreatiti akut është një inflamacion (enjtje) i pankreasit që shfaqet menjëherë dhe zakonisht përmiresohet pas disa ditëve nën mjekimin e duhur. Pankreatiti akut mund të shfaqet mbas disa orëve deri në dy ditë pas konsumimit të alkolit. Shkaqe të tjera janë infeksionet, tumoret, traumatizmi abdominal, anomalitë gjenetike të pankreasit, kolelitiaza (gurët në tëmth), hipertensioni arterial, hipertrigliceridemia, si dhe disa medikamente. Alkooli dhe gurët në tëmth janë shkaqet kryesore dhe më të shpeshta të pankreatitit që përbëjnë rreth 80-90% të rasteve me pankreatit akut. Por ka dhe shkaqe të panjohura që përbëjnë rreth 15% të rasteve me pankreatit akut. Në rreth 85% të rasteve pankreatiti akut nuk është një sëmundje e rëndë dhe zakonisht pacienti shërohet shpejt, por nga ana tjetër në rreth 20% të pacientëve me pankreatuit akut, lezionet e rënda të pankreasit vënë në rrezik jetën e pacientëve.

Pse shkaktohet kjo sëmundje

Tripsina është enzimë që prodhohet nga pankreasi dhe nuk duhet të jetë aktive deri sa të shkojë në zorrët e holla. Në momentin që kjo enzimë aktivizohet në kohën që është ende në pankreas, atëherë ajo provokon tretjen e vetë pankreasit duke provokuar kështu irritim dhe inflamacion (enjtje) të tij. Abuzimi me alkoolin bën që molekulat e etanolit të prekin qelizat e pankreasit dhe në këtë mënyrë bëjnë të mundur aktivizimin e tripsinës para kohe. Gurët e tëmthit ose të kanalit kryesor (koledokut) mund të shkëputen në rrugën e tyre drejt duodenumit dhe mund të bllokojnë kanalet e pankreasit duke bërë kështu të mundur aktivizimin e tripsinës para kohe në pankreas. Të tjera shkaqe që çojnë në pankreatit akut janë disa infeksione siç është infeksioni i shkaktuar nga bakteri Salmonela. Sëmundje autoimune siç janë Lupusi, sindromi Sjogren.

Simptomat

Pacienti referon për një dhembje të menjëhershme në formë brezi në qendër të abdomenit të sipërm. Dhembja mund të ndjehet dhe në shpinë. Nëqoftëse dhimbja shkaktohet nga gurët në tëmth, simptomat shfaqen shpejt. Kur shkaktohet nga alkoli, simptomat shfaqen me ngadalë deri në disa ditë. Shenjat ose simptomat e mëposht shkëme mund të jenë prezente: të vjellat, të përzierat, diarrea, mungesa e oreksit, kolla dhe frymëmarrja e thellë, mund të jetë e dhimbshme. Ndjeshmëri në palpacion, temperaturë, Ikteri ose zverdhja e lëkurës dhe sklerave. Analgjezikët e fortë nuk e qetësojnë dhimbjen. Tensioni arterial mund të rritet ose të ulët. Ndjenja e të fiktit ose marramendje.

Trajtimi

Trajtimi i pankreatiti akut të lehtë kryhet zakonisht me analgjezikë për uljen e dhembjes dhe pirja e lëngjeve. Në rastet e rënda, nevojitet shtrimi në spital. Të gjithë pacientët në fillim duhet të evitojnë ushqimet dhe lëngjet sepse këto e stimulojnë pankreasin të prodhojë me shumë enzima. Nëqoftëse dhimbja ulet ose pacienti nuk ka me të përzjera, mund të fillohet ushqimi normal por nëpërmjet sondës nazogastrike. Pacientët me pankreatit akut sever, zakonisht shtrohen në shërbimin e reanimacionit ku dhe ndjekja është më e mirë. Rrallherë mund të nevojitet dhe interventi kirurgjikal për heqjen e indit pankreatik të nekrozuar apo të infektuar. Kur pankreatiti shkaktohet nga kolelitiaza (gurët në tëmth), interventi për heqjen e tëmthit mund të shtyhet derisa simptomat të përmirësohen. Pankreatiti sever i shkaktuar nga gurët në tëmth ose kanali kryesor (koledok), trajtohet nëpërmjet kolangiopankreatografisë retrograde endoskopike (ERCP) ose interventit kirurgjikal. Megjithëse mbi 80% e pacientëve me pankreatit, i eliminojnë gurët spontanisht, nxjerrja e tyre me ERCP është e nevojshme në ata pacientë që nuk përmirësohen në 24 orët e para të shtrimit në spital.

Për më shumë informacion, kontaktoni në inbox ose në numrat e telefonit 038 221 661 ose 049 513 513.

Spitali Amerikan, Përqafoje Jetën!

Lajmet në fushat e personalizuara

  • festive

Lini një koment

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë të shënuara *

Ju duhet të për të postuar komentin